RVM, Rekomandimet e Venecias ende nuk janë diskutuar për ligjin e gjuhëve

Në rekomandimin e fundit të Komisionit të Venecias potencohet nevoja e një periudhë kohore prej disa vitesh që ligji për gjuhët të gjej zbatimin e plotë në gjyqësor.

RVM, Rekomandimet e Venecias ende nuk janë diskutuar për ligjin e gjuhëve

Rekomandimet e Komisionit të Venecias mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve akoma nuk janë hapur për diskutim në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, njofton Insajderi.

Për zbatimin e ligjit në procedura gjyqësore, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, paralajmëron formimin e grupit të punës mes ekspertëve dhe partive politike për të harmonizuar dhe lehtësuar procedurat juridike.

Zbatimi i tij do të nis duke e kryqëzuar me Ligjin për procedurë penale.

“Ligji për procedurë penale duhet miratuar me 2/3 e votave dhe këtë duhet ta kemi parasysh. Dispozitat e tij duhet të sjellin zgjidhje serioze progresive në sistem. Kam urdhëruar formimin e grupit të punës i cili duhet të përfshijë edhe ekspertë edhe përfaqësues të partive politike në Kuvend. Të gjitha argumentet duhet shpalosur. Qëllimi është të sjellim ligj i cili do t’i anashkalojë mangësitë në ligjin aktual” tha Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë.

Paraprakisht Mariçiq thotë se rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet shqyrtuar gjerë e gjatë nga një grup i posaçëm pune.

“Sigurisht se duhet ta shqyrtojmë këtë çështje. Duhet formuar një lloj grupi i punës i cili do t’i shqyrtoj vërejtjet dhe komentet e Komisionit të Venecias” deklaroi Mariçiq.

Në rekomandimin e fundit të Komisionit të Venecias potencohet nevoja e një periudhë kohore prej disa vitesh që ligji për gjuhët të gjej zbatimin e plotë në gjyqësor.

Zbatimi i tij në gjyqësor shkon përtej standardeve evropiane dhe nuk ka bazë eksplicite kushtetuese prandaj rekomandohet shfuqizimi i tërësishëm i dispozitave për dygjuhësi në gjyqësor. Pas dërgimit të ligjit në Komisionin e Venecias nga ana e Qeverisë, partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI kishin acaruar qëndrimet mes deklaratave se rekomandimet duhet përfshirë në ligj dhe qëndrimit të prerë se ligji nuk do të pësojë ndryshime./Insajderi.com