Sa armë ilegale vazhdojnë të qarkullojnë në Kosovë?

Sa armë ilegale vazhdojnë të qarkullojnë në Kosovë?

Një rast i rëndë ka tronditur dje gjithë Kosovën. E në veçanti, banorët e lagjes Dardania në Prishtinë.

Hasan Krasniqi, 61 vjeçar, ka lënë të vdekur gruan dhe renë e tij,60 e 28 vjeçare. Ai më pas, i ka marrur jetën edhe vetës. Mjeti me të cilin e ka përdorur për të kryer këtë krim ishtë armë zjarri, revole të cilen e kishte pa leje.

Për policinë, personi ishte i njohur edhe më parë për armëmbajtje pa leje. Krimin e djeshëm e ka kryer poashtu me një revole ilegale.

Të ngarkuar me detyrën për legalizimin e armëve është Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ndërsa legalizimi i armëve është i rregulluar me Ligjin për Armët.

MPB i ka thënë Insajderit se prej datës 17 dhjetor të vitit 2018, kanë pranuar 735 aplikime për legalizim të armës dhe prej tyre 320 janë aprovuar.

“Me legalizimin e armëve kontribuojmë që Kosova të jetë një vend më i sigurt për të jetuar, përderisa më shumë armë janë nën kontroll dhe se Kosova merr përgjegjësinë e saj në nivel rajonal dhe ndërkombëtar” ka thënë Vlora Zeka, zëvendëse në këtë ministri.

Sipas MPB-së, në Kosovë ka rreth 260 mijë armë ilegale që janë në posedim të qytetarëve. Afro 50 mijë, llogaritet të jetë numri i përgjithshëm i armëve legale, prej të cilave 22 mijë janë me leje të Republikës së Kosovës, ndërsa 25 mijë armë të tjera që kanë pasur leje nga ish-administrata e UNMIK-ut, po i nënshtrohen procesit të legalizimit.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në dy muajt e parë të vitit 2019, janë konfiskuar 236 armë dhe 3114 municione të kalibrave të ndryshme.

“Armët e paligjshme konfiskohen dhe dënimi për posedim ilegal është me gjobë 7.500 euro apo deri në 10 vjet burg”, ka potencuar Zeka nga MPB./Insajderi.com/