
Vetëm një vit më parë në të njëjtin koncert, Pro Credit Bank kishte ndezur 3 ton fishekzjarre dhe për gjithë këtë Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte reaguar asnjëherë. Por kur kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk i takon kësaj parti, VV ka reaguar ashpër ndaj ish kolegut të tyre që e bënë kryetar të kryeqytetit, raporton Insajderi.
Vetëvendosje përmes një reagimi të fundit ia ka kujtuar kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, se për Vitin e Ri përmes një urdhri kishte ndalur përdorimin e fishekzjarrëve në Prishtinë.
Sipas VV-së, kjo ka mundur të bëhet edhe me rastin e koncertit të bankës Pro Credit të shtunën, kur janë ndezur fishekzjarrë të shumta,
“Në dhjetor 2017, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nënshkruar dhe lëshuar një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike (fishekzjarre, etj.) në vende publike nga data 30 dhjetor deri më 3 janar 2018. Kjo urdhëresë e nënshkruar nga Shpend Ahmeti e hedh poshtë pretendimin e tij të sotëm se komuna nuk merret me dhënien e lejeve për përdorimin e mjeteve piroteknike. Urdhëresa e dhjetorit, në kohën kur Shpend Ahmeti ishte ende pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, tregon se kur ekziston vullneti politik, Kryetari i Komunës edhe di edhe mund të merret me ndalimin e këtyre mjeteve që kontribuojnë drejtpërdrejt në ndotjen e mëtejshme të ajrit në Prishtinë dhe në sigurinë fizike të qytetarëve. Mirëpo, duket se sot Shpend Ahmetin e ka kapur amnezia, dhe ka harruar se çdo të thotë të jesh një kryetar komune i përgjegjshëm para qytetarëve”, thuhet në reagimin e VV-së.
LEXO EDHE: FISHEKZJARRËT NDIZEN PAS KONCERTIT TË ELVANA GJATËS – ZHURMË DHE TYM NË PRISHTINË
VV po ashtu ka thënë se edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka hequr dorë nga përgjegjësia duke ia kaluar atë Ministrisë së Punëve të Brendshme, “sikur të mos ishin në të njëjtën qeveri”.
“ Qeveria, si në shumë raste të tjerë, jo vetëm nuk ndërmerr masa për t’i mbrojtur qytetarët por edhe merr vendime që e rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve. Institucionet janë duke u tallur me qytetarët. Sakaq asnjë nuk po vepron për ta ndalur përdorimin e sotëm të 1 ton fishekzjarreve në mes të Prishtinës. Theksojmë edhe një herë faktin se asnjë institucion nuk e ka bërë publik vendimin e plotë për dhënien e lejes së sotme, dhe nuk i ka treguar emrat e zyrtarëve komunalë dhe qeveritarë që e kanë nënshkruar këtë leje. Kjo mungesë transparence nga Komuna dhe nga Qeveria është e papranueshme”, thuhet më tej në reagimin e VV-së.
Vetëvendosje në fund ka kërkuar një hartim të një rregulloreje që do të ndalonte ndotjen e ajrit me mjete piroteknike për të ardhmen, ndërsa si masë të menjëhershme ka kërkuar parandalimin e ndezjes së fishekzjarrëve të shtunën.
LEXO EDHE: MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME JEP DETAJE PËR FISHEKZJARRËT E PRO CREDIT BANK