Sa kohë mund të mbajë Osmani postin e Kryeparlamentares dhe Presidentes njëkohësisht

Sa kohë mund të mbajë Osmani postin e Kryeparlamentares dhe Presidentes njëkohësisht

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot erdhi në krye të postit të Presidentes si ushtruese e kësaj detyre, do të mund t’i ushtrojë që të dyja pozitat njëkohësisht.

Kështu e obligon atë akti më i lartë juridik i vendit, Kushtetuta e Kosovës.

Nga zyra e kryeparlamentares Osmani, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, bëjnë të ditur se ajo mund të jetë në krye të kësaj detyre për gjashtë muaj, derisa të zgjidhet Presidenti i ri.

Një gjë e tillë thuhet edhe në paragrafin 3, të Nenit 9 të Kushtetutës – “Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj”.

Mirëpo, krahas kësaj periudhe të caktuar kohore, partitë në pushtet mund të zgjedhin një kryetar edhe para skadimit të afatit gjashtë mujor.

Osmani mori postin e u.d, së Presidentes pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, i cili sot në një konferencë për media tha se nuk do të udhëtojë për në Hagë si president i vendit, meqë dje i është konfirmuar aktakuza për krime lufte, nga Gjykata Speciale.

Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, U.d. e presidentes i është drejtuar sot qytetarëve me një adresim në orën 17:00, ku tha se gjatë kësaj kohe kërkohet një lidership i fuqishëm dhe se duhet të ushtrohet përgjegjësi institucionale dhe të forcohet qëndrueshmëria e shtetit, pasi që shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar ato me dinjitet.

“Vendi ynë po kalon ditë të vështira. Qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet dhe besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët – Republikës sonë”.

“Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit, prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë, sepse shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar ato dinjitetshëm”, ka thënë Osmani.

Ndonëse në rrethana të ndryshme, Kosova ka pasur edhe më parë ushtrues detyre të Presidentit.

Në shtator të vitit 2010, presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu ishte dorëhequr nga ky post, meqë në të njëjtën kohë mbante edhe pozitën e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ushtrues detyre i Presidentit pas dorëheqjes së tij, deri në zgjedhjen e një kandidati tjetër, u zgjodh kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi që vinte nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili postin e sapo marrë e kishte ushtruar edhe pas një viti.

Krasniqi u obligua të mbajë edhe një herë këtë post në prill të vitit 2011, pas dorëheqjes së ish-presidentit, Behgjet Pacolli, i cili qe në krye të shtetit për vetëm 35 ditë. /Insajderi.com