
Shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, njëherësh ish-ministri Blerand Stavileci e ka paditur liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili e ka akuzuar atë se po përfiton grante nga Ministria e Bujqësisë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Stavileci i drejtohet Kurtit me shprehjen ‘shpifarak ja ku e ke padinë’, dhe bashkangjitur me shkrimin ish-ministri ka publikuar edhe dokumentin e padisë.
Në dokumentin në fjalë thuhet se Stavileci do të përcaktojë shumën e dëmshpërblimit, pas ekspertizës së caktuar nga gjykata.
“Detyrohet i padituri z. Albin Kurti që paditësit z. Blerand Stavileci në emër të shpërblimit të dëmit jomaterial për shkak të deklaratës me përmbajtje shpifëse, t’ia paguajë shumën e cila do të përcaktohet pas ekspertizës së caktuar nga gjykata”, shkruan në dokument.