Sa shtetas të huaj të infektuar me COVID-19 u trajtuan në Kosovë?

Si rasti i parë me Coronavirus në Kosovë zyrtarisht është e regjistruar një shtetase e huaj – italianja 20 vjeçare. Kanë kaluar pesë muaj tashmë nga ky rast, por Kosova nuk ka një statistikë të veçantë për shtetasit e huaj që qëlloi ose të infektoheshin në Kosovë, ose të vinin të infektuar e të trajtoheshin këtu. Një statistikë me shifra të sakta për të huajt me COVID “kërkon kohë”, i kanë thënë Gazetës Online Insajderi nga Ministria e Shëndetësisë.

Sa shtetas të huaj të infektuar me COVID-19 u trajtuan në Kosovë?

Raste me të infektuar me Coronavirus në Kosovë po shënohen çdo ditë që nga 13 marsi, kur u regjistruan dy të infektuarit e parë – një nga të cilët ishte shtetase italiane, njofton Insajderi.

Kështu kishte bërë të ditur në konferencën e jashtëzakonshme ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili njoftoi se e infektuara e huaj ishte një 20-vjeçare, ndërsa rasti i dytë një kosovar 77-vjeçar.

“Pas kryerjes së analizave në laboratorin e mikrobiologjisë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për SARS Cov 2 për 15 raste të dyshimta në Covid-19, dy prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Pacientët e konfirmuar pozitivë gjenden të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe gjendja shëndetësore e tyre rezulton të jetë stabile. Njëri nga të konfirmuarit pozitiv me Covid-19, është shtetase italiane e moshës 20 vjeçare, kurse pacienti i dytë është kosovar i moshës 77 vjeçare”, kishte thënë Vitia në konferencën ku janë marrë një varg masash preventive për të parandaluar përhapjen e këtij virusi.

Mirëpo, sa prej personave me nacionalitete të tjera, janë trajtuar dhe po vazhdojnë të trajtohen në spitalet e Kosovës, si pasojë e infektimit me COVID-19?

Gazeta Online Insajderi ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me numrin e saktë të të infektuarve që trajtohen në spitalet e Kosovës, por vijnë nga vende të tjera.

Statistikë të tillë s’ka. Kosova nuk posedon këso lloj specifikash për të infektuarit. Nga ministria i kanë thënë Insajder-it se nuk kanë përpiluar një databazë që tregon saktësisht se sa të infektuar që nuk janë shtetas të Kosovës, janë trajtuar në vend.

Duke mos e mohuar se ka edhe të atillë që kanë pranuar trajtim mjekësor në Kosovë, MSH thonë se një konfirmim i tillë kërkon kohë dhe se të dhënat e pacientëve regjistrohen në IKSHPK, ku të testuarit nuk ndahen sipas nacionaliteteve, por regjistrohen sipas vendbanimeve dhe të dhënave të tjera, të cilat janë të mbrojtura me ligj.

“Në mesin e të testuarve për SARS Cov-2 në Kosovë ka pasur edhe shtetas të huaj, të cilët jetojnë përkohësisht apo punojnë në Kosovë. Numrin e saktë nuk mund t’ua konfirmojmë për momentin, sepse kjo kërkon kohë dhe të dhënat janë në data bazën e IKSHPK-së, ku të testuarit nuk ndahen sipas nacionaliteteve, por regjistrohen sipas vendbanimeve dhe të dhënave të tjera personale që me ligj janë të mbrojtura”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë për Insajderi-n.

Rasti i parë i testuar për COVID-19, më tetë shkurt ishte pikërisht një ndërkombëtare, e cila rezultoi më pas negativ në testin për SARS Cov 2.

Por, edhe rasti i parë që rezultoi pozitiv ishte përsëri një ndërkombëtare.

Bëhet fjalë italianen që kishte hyrë në Kosovë përmes rrugëve tokësore nga Shqipëria e që më pas u zyrtarizua si rasti i parë me COVID-19. /Insajderi.com