Sabit Geci akuzon njerëzit e PDK-së: Krimet e tyre mi hodhën mua

Sabit Geci akuzon njerëzit e PDK-së: Krimet e tyre mi hodhën mua

Ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona Operative e Drenicës, Sabit Geci, akuzon njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës se ia hodhën atij krimet të cilat, sipas tij, i kanë kryer vet ata.

Në një intervistë të botuar sot në gazetën “Bota Sot”, Geci, i cili është përballur me drejtësinë për shumë vite pas luftës, ka deklaruar se njerëzit e PDK-së e kanë dëmtuar atë më së shumti.

“‘Shokët’ të cilët më së shumti më kanë dëmtuar janë njerëz të PDK-së, të cilët duke e ditur të vërtetën heshtën dhe nuk më mbrojtën në asnjë aspekt, por të bëmat e tyre mi hodhën mua”, u shpreh Geci, teksa vazhdoi: “Këta njerëz po dishin shumë mirë që të jenë për dikë nënë e për dikë njerkë”.

Ish-komandanti i UÇK-së ka mohuar të ketë pranuar përkrahje nga PDK. Ka deklaruar se partisë që sot udhëhiqet nga Kadri Veseli, i ka konvenuar të mos i ofrojë ndihmë atij dhe familjes së tij.

“Jo që nuk më kanë ndihmuar, por asnjë përkrahje morale nuk ma dhanë, përkundrazi u distancuan prej meje dhe familjes time, jo që nuk na njohën, sepse ne njihemi shumë mirë me ta por kjo – me gjasë – ju konvenoj atyre”, deklaroi Geci për “Bota Sot”.

Sabit Geci është dënuar me 15 vjet burg për krime lufte, në një aktgjykim të vitit 2011 nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë.

Prokurorët e EULEX-it kishin ngritur aktakuzën ndaj tij dhe ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Riza Aliaj. Ata u dënuar për “krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorët e EULEX-it, krimet dyshohen të ishin kryer në dy kampe të UÇK-së në Shqipëri. /Insajderi.com