
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci, është infektuar me Coronavirus, njofton Insajderi.
Këtë e kanë bërë të ditur familjarë të tij, në njoftimin e të cilëve thuhet se gjendja e Gecit është përkeqësuar dhe me urgjencë është dërguar në Turqi.
“Të dashur miq e dashamirë, ju njoftoj që prindi im Sabit Geci ka rezultuar me COVID-19. Si për fillim gjendja e tij ka qenë stabile dhe ka filluar të trajtohet me oksigjen dhe terapi në shtëpi, pas disa ditësh iu është keqësuar situata dhe e dërguam në Infektive. Gjendja e prindit vetëm u keqësua edhe më shumë, u detyruam që me urgjencë ta dërgojmë në Turqi”, thuhet në njoftimin e familjes, që ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes nga virusi.
Geci ishte dënuar para disa vjetësh për krime lufte, por vuajtja e dënimit i ishte pezulluar disa herë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Në fillim të këtij viti Geci kishte udhëtuar drejt Hagës, i ftuar nga Gjykata Speciale. /Insajderi.com