Salih Mustafa nesër para Dhomave të Specializuara

Salih Mustafa nesër para Dhomave të Specializuara

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të paraqitet nesër më 1 shkurt, para Dhomave të Specializuara në Hagë, njofton Insajderi.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga Dhomat e Specializuara, ku thuhet se konferenca për ecurinë e çështjes do të mbahet me 1 shkurt duke filluar nga ora 11:00.

“Siç është njoftuar në Kalendarin tonë të Gjykatës, Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Salih Mustafës do të mbahet më 1 shkurt në orën 11:00”, thuhej në njoftim.

Para disa ditësh, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin ish-eprorit të UÇK-së Salih Mustafës, duke konsideruar se nëse ai lirohet ka rrezik të arratiset, edhe pse Mustafa kishte paraqitur disa kushte për t’u liruar, por ato për Gjykatën Speciale janë të pamjaftueshme.

Gjatë kësaj seance pritet të mësohet nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka ofruar mbrojtjes të gjitha provat dëshmuese dhe cilat prova kanë mbetur pa u zbuluar. /Insajderi.com