Salihaj: Votuesit na ndëshkuan për ta larguar Isa Mustafën

Salihaj: Votuesit na ndëshkuan për ta larguar Isa Mustafën

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka folur për zhvillimet e fundit brenda kësaj partie dhe humbjen e thellë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, transmeton Insajderi.

Salihaj në Debat Plus ka thënë se militantët e LDK-së nuk e kanë votuar në këto zgjedhje, vetëm që të largohet kryetari tashmë në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se elektorati i LDK-së është i irrituar me veprimet e kësaj partie, e cila “ka thyer disa premtime para tyre”.

“Në zgjedhjet e fundit gjatë fushatës kam biseduar me shumë njerëz të vjetër e të ri, militantë të LDK-së, dhe ata më kanë thënë në sy se do ta votojnë Listën e Vjosës – në fakt Vetëvendosjen, vetëm që të largohet Isa Mustafa nga LDK. Ata më kanë thënë se ‘ju nuk po mundeni ta largoni, ne e bëjmë me votë’. Kjo ishte logjika e zgjedhjeve të fundit”, ka thënë Salihaj.

Sipas tij, thyerja e LDK-së ka filluar që nga viti 2006./Insajderi.com