Salihu: Të funksionalizohet urgjentisht Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës

Salihu: Të funksionalizohet urgjentisht Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, thotë se urgjentisht duhet të funksionalizohet Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës, pasi siç thotë ai është krim nëse nuk bëhet hulumtimi, dhe studimi i mëtutjeshëm.

Një Institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte themeluar në vitin 2011, por me vendimin e Qeverisë së Kosovës, ai është mbyllur në vitin 2018.

Ky insititut ka publikuar tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb, si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.

“Urgjentisht po e përsëris edhe njëherë, duhet të ri-themelohet instituti për hulumtimin e krimeve të luftës për shkak se krimet që janë kryer në Kosovë, janë krimet më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore, janë krime shumë të rënda dhe do ishte një krim i sërishëm nëse ne nuk e bëjmë hulumtimin e këtyre krimeve dhe evidentimin e tyre për gjeneratat e tashme, sidomos për të ardhmen të tregohet se çfarë sakrifice është bërë për çlirimin e Kosovës”, u shpreh ai për EO.

Salihu thotë se duhet të bëhet një organizim sistematik dhe thotë që është ironike, që nëse kërkohen të dhëna lidhur me numrin e vrasjeve, dhunimeve e plagosjeve nuk mund të gjinden.

“Kapacitete personale humane, njerëzore ka kjo Kosovë por duhet të bëhet një organizim në mënyrë sistematike dhe të institucionalizohet kjo punë. Është shumë ironike se edhe pas 20 viteve nëse vjen ndonjë hulumtues ose ndonjë zyrtar i huaj dhe të kërkojë prej niveleve qendrore numrin e krimeve të kryera sidomos të vrasjeve, plagosjeve, të dhunimeve, ai nuk mund t’i gjejë në nivel qendror për shkak se nuk ka qenë e organizuar”, u shpreh tutje Salihu.

Mes tjerash, profesor Salihu e lidh fatin dhe punën e tanishme të vendit tonë dhe hulumtimeve me shpërthimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ku thekson faktin që themelimi i Institutit për krime lufte në Sarajevë është shumë funksional dhe kanë të evidentuar çdo masakër dhe vrasje masive, përkundër Kosovës dhe Institutit që ai e quan mjerim gjendjen dhe punën që është bërë deri tani, ku ai thotë se tashmë Serbia nuk ka faj por kanë institucionet vendore.

“Viktimat e luftës nuk mund të flasin por ne që jemi gjallë e kemi obligim të flasim për ta”, kështu vazhdon Salihu tregimin e tij emocional që e lidh edhe me një thënie.

“Lidhur me këtë është një thënie e një profesori të Sarajevës, që është paksa emocionale, prekëse por shumë domethënëse ku thotë “viktimat e luftës, viktimat e kriminelëve të luftë, krimeve që janë kryer gjatë luftës nga forcat serbe, ata më nuk mund të flasin por ne që jemi gjallë, ne e kemi obligim që të flasim për to”, mjerisht në Kosovë për të qenë ironia më e madhe edhe bashkëluftëtarët e tyre të cilët janë vra ose familjarët e tyre nuk i është kushtuar kujdesi i duhur as për së afërmi”, deklaron tutje Salihu. /Insajderi.com