Salla 1 Tetori në Prishtinë, është mbushur me ushqim, veshmbathje, ujë e gjësende të tjera. Krejt këto janë mbledhur nga qytetarët vullnetmirë, për të pritur, diku rreth 50 persona të prekur nga tërmeti në Shqipëri, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndonëse, qytetarët shqiptarë ende nuk kanë mbërri aty, Plisat po përkujdesen që gjithçka të shkojë siç duhet dhe ata treguan për Gazetën Insajderi, se kanë në dispozicion plotë 200 shtretër që u janë ofruar nga qytetarë të komunave të ndryshme të Kosovës.
“Ne i kemi 200 shtretër në dispozicion, dhe këto do i shfrytëzojmë, ka pas njerëz që kanë ardhë, nuk e dimë çka na pret sonte. Nuk mundem të jap shifër se sa autobusë janë nis sonte, nuk e di, e kemi një informacion që 50 persona janë rrugës, tash nuk e dimë pasi që kufiri është në kontroll më të madhe”, ka thënë njëri nga organizatorët e Plisave, i cili nuk ka dashur që emri të i bëhet publik për shkak të modestisë.
Plisat po ashtu kanë thënë se nuk do të marrin rolin e shtetit dhe nesër ata do të kontaktojnë me Qeverinë dhe Ministritë përkatëse.
“Sëpari po kemi problem me lajme të rremë. Ne duam ta potencojmë që nuk po i inkurajojmë njerëzit me ardhë këtu, ne nuk duam ta marrim rolin e shtetit e as ti zëvendësojmë ato, ne jemi gati mi administruar për ushqim e gjëra të tilla. Nesër ne do të kontaktojmë me shtetin me ministritë, por tash jemi pak në kaos”, është shprehur ai.
Përveç gjësendeve dhe gjërave ushqimore që ndodheshin në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, aty çdo minutë vinin qytetarë të shumtë duke ofruar edhe shtëpitë, banesat e kështu me radhë.Insajderi, po ashtu ka siguruar edhe një video me pamje nga atje./ Insajderi.com