Sallahu: U keqpërdorën rreth një milion euro

Sallahu: U keqpërdorën rreth një milion euro

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, po pretendon se ekspertët mjekoligjorë janë kompensuar jashtëligjshëm nga Këshilli Prokurorial për pesë vite, duke marrë kështu rreth 1 milion euro.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një konference për media, ku tha se deri me ardhjen e Qeverisë Kurti “përfitimet ilegale kanë qenë në nivele shumë të larta”.

“Në vitin 2016-të, më 6 prill ka hyrë në fuqi, ligji për mjekësi ligjore, atëherë ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që ishin fuqizuar me ligjin paraprak”, ka thënë Sallahu, të martën.

“Në vitin 2017, Këshilli Prokurorial i Kosovës, aso kohe me kryesues Blerim Isufaj, i kishte shkruar ish Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, lidhur me Udhëzimin nr. 07/2013 që rregullonte mënyrën e kompensimit të ekspertëve mjekoligjor të IML-së”, vazhdoi ai.

“Asokohe Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte propozuar ish Ministres Dhurata Hoxha, që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit, për shkak se i njëjti ishte bazuar në ligjin i cili ishte shfuqizuar”, deklaroi Sallahu.

Zëvendësministri gjithashtu theksoi se “Pavarësisht që në vitin 2016 kishte hyrë në fuqi ligji i ri për Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe pavarësisht faktit që Këshilli Prokurorial ia kishte tërhequr vëmendjen ish Ministres Dhurata Hoxha për kompensimin e jashtëligjshëm të ekspertëve mjekoligjor”.

Sipas tij “e njëjta nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në mbrojte të parasë publike dhe në respektim të legjislacionit. Një letër e tillë thjesht ishte injoruar nga ish Ministrja. Për shkak të këtij mosveprimi, ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga KPK në vlerë prej 785.000 euro, përgjatë 5 viteve të fundit, përmes një udhëzimi administrativ nr. 07/2013 të vitit 2013 i cili është bazuar në ligjin e vitit 2010, e i cili nga viti 2016 nuk është më në fuqi”.

“Konkretisht, Udhëzimi 07/03 i vitit 2013 për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të eksperteve mjeko-ligjorë është bazuar në Ligjin për Mjekësisë Ligjore të vitit 2010. Ligji i vitit 2010 për Mjekësinë Ligjore është shfuqizuar me Ligjin e ri për Mjekësinë Ligjore të vitit 2016, që automatikisht nënkupton se është abroguar edhe udhëzimi administrativ i vitit 2013. Për më tepër, ligji i vitit 2016 në nenin 19 e ka obliguar MD-në për nxjerrjen e akteve nënligjore brenda afatit prej 6 muajsh, mirëpo tash jemi në vitin 2021 dhe një e gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur nga qeveritë paraprake”.

Ai po ashtu ka deklaruar se rastin në fjalë e kanë denoncuar, menjëherë pasi e kanë kuptuar.

“Për të eliminuar keqpërdorime të taksapaguesve të Republikës së Kosovës, kemi ndërmarrë masa të menjëhershme, ku kemi hartuar draftin e ri të Vendimit i cili bazohet në ligjin në fuqi lidhur me Metodën e Llogaritjes së Tarifave për Shërbimet e ofruara në fushën e mjekësisë ligjore, kompensimin e punës jashtë orarit të punës dhe pjesëmarrjen e ekspertëve mjeko-ligjorë në seanca dëgjimore”.

“Në këtë kuptim, ky vendim mundëson funksionim stabil të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me sistem të rregulluar e të mirëfilltë të pagesave, duke eliminuar mundësinë aktuale që ekspertët ligjorë për çdo mendim lidhur me ekspertizën ligjore, ta marrin shumën totale të parave për dhënien e atij mendimi e krejt kjo në dëm të IML-së”, pohoi Sallahu. /Insajderi.com