Samiti i G7-s në Kanada: Gjërat po lëvizin

Fërkime transatlantike: Në samitin e G7-s në Kanada presidenti amerikan, Donald Trump paraqitet luftarak, ndërsa europianët nuk duan të dorëzohen. A mund të bien në ujdi në fund krerët e vendeve më të fuqishme të botës?

Samiti i G7-s në Kanada: Gjërat po lëvizin

Krerët e qeverive dhe vendeve të G7-s duan që në ditën e fundit (09.06) të samitit në La Malbaie në Kanada të publikojnë një deklaratë të përbashkët. Pas diskutimeve për politikën e jashtme dhe atë tregtare të shtunën debatohet për diskriminimin e grave dhe ndotjen e oqeaneve. Të dyja janë tema që presidenca kanadeze i ka vendosur në axhendën e saj të samitit dyditor. Kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur, se për shkak të diferencave me Trumpin në çështjet tregtare dhe klimiës është e pasigurtë, nëse do të ketë në fund një deklaratë të përbashkët të samitit. „Besoj se do ishte një shenjë e të qenurit i hapur po të thonim, se brenda një kulture të hapur debati nuk jemi dakord për të gjitha çështjet.”

Negociata të shpejta për NAFTA-n

Por presidenti Trump nga ana e tij u shpreh pozitivisht për një deklaratë të përbashkët. „Besoj se do ta kemi një deklaratë të përbashkët”, tha ai. Trump dhe kryeministri kanadez, mikpritësi i samitit, Justin Trudeau kanë pasur një takim mjaft pozitiv, u theksua pas takimit. Të dy kanë rënë dakord për përshpejtimin e një reforme të zonës së tregtisë së lirë, NAFTA.

Të paktën në çështjen e Koresë së Veriut, pjesëmarrësit e shtatë vendeve me të industrializuara të botës janë në një linjë. Sipas të dhënave të diplomatëve, të gjithë e mbështesin propozimin e Trump dhe kryeministrit japonez, Shinzo Abe për denuklearizimin e vazhdueshëm dhe të pakthyeshëm të gadishullit korean.

Samiti i G7-s në Kanada është errësuar nga doganat që Trump ka vendosur për çelikun dhe aluminin. Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh optimist se ka përparime në bisedimet me SHBA për çështjet tregtare. „Gjërat po lëvizin”, tha Macron para takimit me Trump. Një bisedë e parë ka ndihmuar për të larguar disa keqkuptime, tha kreu i shtetit francez. Trump theksoi se SHBA ka një deficit të madh tregtar kundrejt Europës, por ai theksoi po ashtu se gjërat do të lëvizin „Po bëhet diçka”, tha Trump. Sipas një burimi të brendshëm nga samiti, debati ka qenë mjaft emocional, kur u diskutua për politikën tregtare, por megjithatë i civilizuar.