Ndryshimet që janë bërë në projektligjin për mësimdhënësit e viteve ’90-ta, ka bërë që komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji ta shtyjë për një tjetër ditë tjetër shqyrtimin e tij.
Lidhur me këto ndryshime kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, tha se ky projektligj po i fyen mësimdhënësit e asaj kohe.
“Këtë projektligj nuk e pranon SBAShK-u, sepse me 23 euro dhe 53 euro shtesë nuk njihet kontributi i këtyre mësimdhënësve. 158 euro është pensioni më i vogël në Kosovë, ne këtë projektligj nuk e pranojmë. Ky është projektligj me cukla, me këtë version po i fyeni arsimtarët që kanë dhënë kontribut gjatë kësaj kohe. Ne e pranojmë projektligjin siç ka ardhur në fillim”, tha Jasharaj.
Kurse, kryetari i komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, tha se komisioni ka punuar shumë në këtë projektligj, por se Kuvendi vendosë lidhur me këtë çështje.
“Versionin e parë të projektligjit nuk e kanë pranuar shumë organizata ndërkombëtare dhe ministria e Financave ka deklaruar se dëmton buxhetin, mendoj që nuk është serioze me votu ligjin si ka ardhur para 4 muajve. Por megjithatë ne kemi punuar shumë në këtë projektligj, ne si komisioni e kemi për detyrë më shqyrtu e Kuvendi vendos se çfarë të bëhet me të”, tha Kurteshi.
Ai po ashtu kërkoi nga anëtarët e këtij komisioni që në mbledhjen e radhës të vijnë më propozime konkrete dhe ta dërgojnë në Kuvend këtë projektligj.
Përfaqësuesja e ministrisë së Financave, Mevlide Shamolli tha se ministria është e gatshme të japë ndihmë profesionale.
“Ministria e Financave është e interesuar me punu në aspekt profesional. Ligji i parë ka bërë debat shumë edhe nëpër media dhe në institucione. Neni 7 ka pasur disa nën kategori që na kanë nxjerr pak problem. Ne jemi në gjendje të japim kontributin tonë në mënyrë që ligji të jetë i mirë”, tha ajo.
Anëtarja e këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se ende po bëhet politikë me këtë projektligj derisa kërkoi nga SBAShK-u që të bashkëpunojnë me komisionin për të treguar pikat të cilat duhet të rregullohen
“Për mua është shqetësuese me pa se edhe në këtë moment po bëhet politik. Ne kemi pas shumë grupe punuese, ku ka pasë konsensus për m’i shty pikat e caktuara. Në mënyrë që ta kemi ligjin e mirë mendoj që duhet të tregojmë specifikisht çka është e dobishme dhe e dëmshme”, tha Nagavci.
Kurse, anëtarja e komisionit për Arsim nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se ky projektligj nuk rregullon pensionet e mësimdhënësve por vetëm kontributin që kanë dhënë ata gjatë këtyre viteve.
“Kemi punu shumë në këtë projektligj por ky projektligj si rregullon pensionet por do të marrim shtesë mbi ato”, tha ajo.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 është miratuar në maj të këtij viti me 71 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime.