SBASHK i reagon komunave që paralajmëruan rifillimin e mësimit nesër

SBASHK i reagon komunave që paralajmëruan rifillimin e mësimit nesër

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se vendimet e disa komunave për rifillim të procesit mësimor të hënën nuk përfaqësojnë qëndrimin e mësimdhënësve.

Ai ka deklaruar se greva do të vazhdojë edhe në këto komuna.

“Kryetarët e komunave kanë dalë me këto deklarata, mirëpo për këtë vendosin mësimdhënësit e Kosovës dhe të punësuarit e tjerë në tërë sistemin arsimor. Komunikimin e kemi të vazhdueshëm, të gjithë do të jenë nesër në grevë”, ka thënë Jasharaj për kallxo.com.

Ai ka mohuar se ka përçarje në SBASHK.

“S’kemi përçarje, nuk besoj që do të ketë. Greva është legjitime dhe nuk besoj se do të ketë luhatje kurrsesi”, ka shtuar ai.

Dy komuna të drejtuara nga AAK-ja e kryeministrit Haradinaj, Deçani e Juniku, paralajmëruan sonte se nesër do të fillojë procesi mësimor. Edhe Komuna e Mamushës paralajmëroi fillimin e gjysmëvjetorit të dytë nesër, më 21 janar.

Kryeministri Ramush Haradinaj bëri përpjekje që me një ofertë për rritje të pagave prej 10 për qind të ndërpritet greva e mësimdhënësve. Oferta e Qeverisë u refuzua nga SBASHK-u, që kërkon rritje të koeficienteve për punëtorët arsimorë në 30 për qind.