SBAShK kërkon që shtesat prej 100 euro t’u jepen mësimdhënëse për tre muaj

SBAShK kërkon që shtesat prej 100 euro t’u jepen mësimdhënëse për tre muaj

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar nga Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, mjete shtesë prej 100 euro në paga për të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor.

Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jashari, thotë se këto mjete po i kërkojnë në mënyrë që të ndihmohen mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë tekniko-ndihmës.

Madje, ai tha se para fillimit të gjysmë vjetorit të dytë do të ketë një mbledhje tjetër të Këshillit drejtues, i cili do të dalë me një vendim eventual nëse nuk paguhen mësimdhënësit.

“Kemi kërkuar një shtesë në paga. Kemi kërkuar që në pagat ekzistuese Qeveria Hoti të intervenojë dhe të kemi një shtesë prej 100 euro për të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit”, ka thënë Jashari për EO.

“Ne besojmë që Qeveria do të intervenojë ngase që nga fillimi është thënë që në kemi përkrahur kryeministrin Hoti se po i u ndihmohet shëndetësisë dhe Policisë dhe ka qenë e drejtë kjo ndihmë sepse ata kanë pasur orar më të gjatë të punës. Dhe me të filluar viti shkollor u pa se edhe mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë tekniko ndihmës bashkë me nxënësit u përballën me një front tjetër me Covidin dhe shifrat janë alarmante dhe ne kemi bërë një kërkesë shumë të arsyeshme”.

“Ne para fillimit të gjysmë vjetorit të dytë do ta kemi një mbledhje tjetër të Këshillit drejtues do të sjellë një vendim eventual. Uroj që Qeveri Hoti të ndaj këto mjete ngase mësimdhënësit e meritojnë këtë gjë sepse janë duke punuar me norma shtesë dhe janë të rrezikuar”, ka shtuar tutje ai. /Insajderi.com