SBASHK-u do të pengojë mësimin në shkolla nëse Qeveria nuk siguron dezinfektim e mjete higjienike

SBASHK-u do të pengojë mësimin në shkolla nëse Qeveria nuk siguron dezinfektim e mjete higjienike

Nëse Qeveria nuk arrin të sigurojë mjete të nevojshme për dezinfektimin e shkollave dhe blerjen e dezinfektuesve e pajisjeve të tjera higjienike, Sindikata e Arsimit do të pengojë realizimin e mësimit në shkolla, njofton Insajderi

Deri tash nuk ka një vendim konkret se si do të zhvillohet mësimi, por është përmendur kthimi në shkolla i nxënësve të disa klasave.

Javën e kaluar ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se i kanë kërkuar Qeverisë buxhet shtesë për vitin shkollor, meqë aktualisht, sipas tij, nuk kanë mjete të mjaftueshme.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, për KOHA ka bërë të ditur se përmes një letre i kanë kërkuar Qeverisë të sigurojë kushte për vitin e ri shkollor, për shkak të situatës me pandeminë.

Jasharaj ka paralajmëruar se këtë javë do ta mbledhë Këshillin drejtues të sindikatës për të nxjerrë një vendim për hapat që do t’i ndërmarrin nëse nuk realizohet kërkesa e tyre.

Ndaj kësaj deklarate te Jasharajt, nuk kanë dhënë shpjegime nga MASHT.