SBASHK-u kërkon që e hëna të jetë ditë pushimi për shkollat

SBASHK-u kërkon që e hëna të jetë ditë pushimi për shkollat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, ka bërë thirrje që e hëna e 18 tetorit të jetë ditë pushimi për shkollat të cilat shfrytëzohen si qendra të votimit për zgjedhjet lokale të dielën.

Veç kësaj, ka kërkuar që kjo ditë të shfrytëzohet për ajrosjen dhe dezinfektimin e hapësirave shkollore.

“SBASHK-u ka përkrahur propozimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës që të hënën e 18 tetorit mos të mbahet mësimi në shkollat e Kosovës, por ajo ditë të shfrytëzohet për ajrosjen dhe dezinfektimin e gjithë ambienteve shkollore me qëllim që të krijohen parakushtet për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe punëtorëve arsimor”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas tyre, kjo kërkesë po bëhet që të mos rrezikohet shëndeti i nxënësve dhe i të gjithë personelit të shkollës nga përhapja e virusit COVID-19.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

“Ky propozim është i qëlluar ngase të dielën e 17 tetorit ambientet e shkollave do të përdorën për t’u zhvilluar zgjedhjet lokale dhe në ambientet e tyre do të kenë prani të shumë votuesve dhe ekziston frika e arsyeshme se virusi mund të vijë dhe të mbetet në shkollë dhe të rrezikojë pastaj shëndetin e nxënësve dhe gjithë personelit të shkollës dhe kjo do të bënte që të kemi edhe cenim të procesit mësimor, i cili për momentin ka rrjedhë të mbarë”.

Në fund, thuhet se “SBASHK-u beson se edhe MASHTI do ta analizojë drejt çështjen dhe do të sjell vendim meritor lidhur me të hënën e 18 tetorit dhe do të mbështes Drejtoritë Arsimore që ato ta monitorojnë situatën dhe të kontribuojnë që shkollat të jenë të përgatitura e të sigurta për të vazhduar me procesin mësimor”./Insajderi.com