SBASHK-u kundër mësimit online të paralajmëruar nga Hoti

SBASHK-u kundër mësimit online të paralajmëruar nga Hoti

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, është deklaruar kundër vendimit për mësim online të cilin e ka paralajmëruar gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, transmeton Insajderi.

Siç bën të ditur ai, të martën rreth orës 15:00 pritet të mbahet një takim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës mes përfaqësuesve të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të drejtorive komunale, si dhe të SBASHK-ut, ku pritet të diskutohet për situatën pandemike me COVID-19 në nivel të Kosovës në sektorin e arsimit.

Jasharaj kërkon që të mos hyjë në fuqi vendimi për mësimin online, meqë do të respektohen rekomandimet e IKSHPK-së.

“Kemi komunikim me MASH-in dhe sipas asaj që është thënë po presim një konfirmim zyrtar, ku pritet të ketë një takim në MASH, ku do të jenë edhe udhëheqësit e IKSHPK-së, përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të DKA-së të komunave, ku po pritet që të flitet për situatën aktuale nga pandemia e veçanërisht për arsimin. Nuk kemi ndonjë informatë se kur por do të bisedohet dhe do të analizohet situata dhe organet kyçe që do të vendosin janë IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai, raporton Telegrafi.

“SBASHK-u mbetet me insistimin që mësimi të vazhdojë në shkolla, por nëse IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë parashikuar si problematike këtë çështje, atëherë ata do të marrin vendim dhe SBASHK-u do të përkrahë vendimin e institucioneve tona dhe do të mobilizojë punëtorët e arsimit dhe nëse ‘larg qoftë’, siç thotë populli, kalohet në mësimin online eventualisht për një kohë të caktuar, atëherë do të mundohemi që mësimdhënësit të jenë sa më aktivë dhe më të suksesshëm edhe në atë lloj mësimi, me urimin që kjo të mos ndodhë, por SBASHK-u do të pajtohet, sepse primar është shëndeti i nxënësve”, ka thënë ndër të tjera Jasharaj. /Insajderi.com