Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës është shprehur kundër çdo shtyrje të procesit mësimor, përcjell Insajderi.com.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se nëse Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, e shohin si rrezik fillimin e vitit shkollor me prezencë fizike, duhet të përgatiten për versione tjera të mësimit.
“SBASHK është shprehur publikisht kundër çdo shtyrjeje të radhës, mendojmë se nëse vërtet institucionet e shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja e shohin ende me rrezik fillimin fizik të vitit shkollor, atëherë MASHTI, DKA bashkë me ne dhe gjithë të tjerët duhet këto ditë të angazhohemi dhe të përgatitemi që të fillojmë me një version tjetër të mësimit, siç është mësimi online të cilin askush nuk e dëshiron sepse është tepër i vështirë për tu realizuar por ne duhet të bëjmë diçka”, tha ai për Gazeta Blic.
Tutje, ai tha se janë kundër çdo shtyrje të radhës për shkak se do të paraqesë probleme shtesë lidhur me kompensimin e orëve të humbura.
“Ne jemi deklaruar se çdo shtyrje e radhës e vitit shkollor do të paraqesë probleme shtesë dhe do të krijojë pikëpyetje se si do të mund të arrijmë t’i zëvendësojmë ditët dhe orët e humbura ngaqë se edhe deri me 27 shtator i kemi 18 ditë mësimi të humbura dhe do të kemi shumë telashe për t’i zëvendësuar ato. Edhe me këto 18 ditë do të kemi telashe dhe lërë pastaj nëse viti shkollor shtyhet edhe më tutje”, ka deklaruar Jasharaj.
Ndryshe, më 31 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID’19, në të cilat parashihej që mësimi të fillojë më 13 shtator, por që me udhëzimet e ekspertëve, kjo datë është shtyrë deri më 26 shtator, dhe ende nuk ka ndonjë vendim tjetër./Insajderi.com