Së paku 300 mijë persona duhet të vaksinohen deri në verë që të ketë ulje në rastet me COVID-19

Së paku 300 mijë persona duhet të vaksinohen deri në verë që të ketë ulje në rastet me COVID-19

Ani pse arritja e 24 mijë dozave të para të vaksinës anti-COVID në Kosovë po konsiderohet si një fillim i mbarë, ndikimi në pandemi është i papërfillshëm me këtë numër simbolik të vaksinave.

Për të pasur ulje të numrit të rasteve të reja me COVID-19 në vend, duhet të vaksinohen së paku 300 mijë persona deri në sezonin e verës, për çka nevojiten rreth 600 mijë doza të vaksinave.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, infektologu Ilir Tolaj, derisa u pyet se kur pritet të fillojë vaksinimi masiv i popullatës.

“Nëse vaksinimi mbetet në nivelin e tanishëm, simbolik, atëherë nuk do të ketë zvogëlim të numrit të rasteve të reja, si pasojë e vaksinimit. Vetëm vaksinimi masiv, së bashku me imunitetin e krijuar mes njerëzve që e kanë kaluar infeksionin në mënyrë të natyrshme, mund ta krijojë imunitetin kolektiv të nivelit të atillë që ta ndërprejë ecurinë e pandemisë, ta pengojë shfaqjen e rasteve të reja në këtë numër, duke i ulur ato në numrat të papërfillshëm”, ka shtuar ai.

Tolaj foli edhe për arritjen e kontingjentit të parë të vaksinave të AstraZenecas në Kosovë, për çka tha se ishte një moment i rëndësishëm në historinë e përballjes me këtë sëmundje, duke shtuar se vaksina që ka ardhur në vend është e sigurt.

“Këtë e kanë treguar studimet plotësuese për këtë vaksinë. Prandaj, askush nuk duhet të ketë hezitim për t’u vaksinuar me këtë vaksinë”, ka thënë Tolaj.

Infektologu kosovar ka sqaruar edhe mënyrën se si reagon organizmi në krijimin e antitrupave neutralizues mbrojtës kundër virusit, pasi të merret doza e parë e vaksinës.

“Ndikimi në të vaksinuarit do të jetë i shpejtë; që në javën e parë do të fillojnë të krijohen antitrupat, ndërsa në të dytën pas vaksinimit do ta kemi një mbrojtje solide, e cila do të përforcohet edhe me dozën e dytë të vaksinës”, ka thënë ai.

Pavarësisht dilemave të shumta që janë ngritur rreth vaksinës AstraZeneca, edhe kardiologu Artan Ahmeti thotë se komplikimet pas marrjes së kësaj vaksine janë minimale dhe të papërfillshme.

Sipas tij, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë sqarime të mjaftueshme që ajo është e sigurt.

“Ka pasur dilema, por përndryshe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë sqarime se vaksina është e sigurt dhe komplikimet janë shumë minimale dhe të papërfillshme”, ka thënë Ahmeti.

Në mbrëmjen e 28 marsit në Kosovë arritën 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga kjo kompani, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i OBSH-së.

Ndryshe, dhjetëra vende kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër Coronavirusit.  Kjo ka ndodhur pas raporteve se disa persona kanë pësuar mpiksje gjaku, pas vaksinimit. /Insajderi.com