Së shpejti do të ftohen në seanca dëgjimore kompanitë që dyshohen për kurdisje të çmimit të naftës

Së shpejti do të ftohen në seanca dëgjimore kompanitë që dyshohen për kurdisje të çmimit të naftës

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të fillojë me mbajtjen e seancave dëgjimore për kompanitë që dyshohen për kurdisje të çmimit të naftës gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë me dije se pas këtyre seancave, pritet të merret vendimi përfundimtar për kompanitë që janë subjekt i hetimit.

” Konkurrences, Autoriteti Kosovar i Konkurrenës do të fillojë së shpejti mbajtjen e seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, meqë rast palët do ta kenë mundësinë t’i kontestojnë faktet e konstatuara të AKK-së në seancë dëgjimore. Ky proces do t’i paraprijë një vendimi përfundimtar nga ana AKK-së lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftim.

“Lidhur me mbajtjen e seancave dëgjimore, AKK do të njoftojë me kohë të gjitha operatorët që janë subjekt i hetimit”, thuhet në njoftim.

Ky hetim ka filluar në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.

Sipas AKK-së, derisa në nëntor të vitit të kaluar fitimit i këtyre kompanive ishte rritur për 60% , në dhjetor, fitimi ishte rritur për 124%.

Këto kompani dyshohet se fituan 50 centë në një litër naftë, e cila në bursë, atëkohë ishte blerë për 21 centë dhe në Kosovë ishte shitur për 1 euro e 20 centë.

Ndërkohë, AKK-ja ka njoftuar se është duke përcjellë ankesat e bizneseve lidhur me dyshimet për rritjet e çmimit të çimentos, të aplikuara nga një ndërmarrje që ka pozitë të fuqishme në tregun e çimentos në Kosovë.

“Bazuar në mandatin e tij, AKK do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës dhe do të njoftojë publikun lidhur me çdo zhvillim të mundshëm rreth kësaj çështjeje”, thuhet në njoftim.