
Seanca e parë në rastin e rigjykimit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç do të mbahet më 5 shkurt të këtij viti, pranë Departamentit Special në krimet e rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, njofton Insajderi.
Lajmin e ka konfirmuar për portalin serb, “Kosovo Online” avokati Predrag Miljkoviq.
“Sot, unë mora një thirrje nga gjykatësi Valon Kurtaj për seancën e parë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, që do të thotë se gjykata pranoi kërkesën tonë. Kjo është seanca e parë në të cilën të pandehurit do të deklarohen rreth fajësisë,” tha avokati avokati që përfaqëson Nedeljko Spasojeviqin.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Edhe pas tre viteve të plota, rasti i tij ende nuk është sqaruar. Vrasësit dhe autorët e saj ende nuk dihen./Insajderi.com