Seanca e vonuar dhe pa ndikim për Nehat Thaçin

Dy javë ditë pas arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicës, Nehat Thaçi, në Serbi, Kuvendi i Kosovës ka caktuar një seancë të jashtëzakonshme. Do të diskutohet për lirimin e shefit të Policisë në Mitrovicë. Por sa mund të ndikojë një seancë e Kuvendit të Kosovën, për lirimin e Thaçit, kur Serbia nuk e njeh asnjë institucion shtetëror të vendit?

Seanca e vonuar dhe pa ndikim për Nehat Thaçin

Kuvendi i Kosovës bashkë me kryetarin e saj, Kadri Veselin, kanë heshtur për afro 2 javë, për arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës.

Por pas kësaj kohe, Kuvendi i Kosovës ka thirrur një seancë e cila do të mbahet të martën e 11 shtatorit.

Mijëra kilometra larg Prishtinës, në burgjet e shtetit që nuk i njeh institucionet e Kosovës, gjendet Nehat Thaçi.

Në Prokurorinë e Beogradit, Thaçi është i akuzuar nën dyshimet se ka dëbuar familjen Milivojeviq më 1 korrik 1999, nga një fshat afër Lipjanit. Thaçi ka thënë se në atë ditë ka qenë në Fushë Kosovë.

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi u arrestua në mbrëmjen e 28 shtatorit, në pikën kufitare në Jarinjë derisa po tentonte kalimin në territorin e Serbisë. Ai u mbajt në burgun e Nishit për tu transferuar në Beograd.

Mirëpo, derisa tërë këto zhvillime kanë ndodhur në Serbi, institucionet e Kosovës dhe krerët më të lartë të shtetit nuk janë deklaruar rreth kësaj çështje.

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli reaguan pas më shumë se tre ditësh për arrestimin e Thaçit. Madje, presidenti Thaçi deklarimin e tij të parë, e bëri më 3 tetor (5 ditë më vonë), nga Tirana, ku po qëndronte në një vizitë zyrtare.

Ai tha se Kosova nuk mund t’i përgjigjet “arrestimeve me arrestime dhe dhunës me dhunë”. Thaçi po ashtu deklaroi se institucionet janë duke u koordinuar me autoritetet ndërkombëtare për zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më shpejtë.

Por, një kërkesë e deputetit të pavarur, Gëzim Kelmendi, ka bërë që Kuvendi i Kosovës të organizojë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme lidhur me rastin e arrestimit të Nehat Thaçit.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të martën të mbahen dy seanca, në ora 10:00 dhe në ora 14:00. Seanca e orës 14:00 do të jetë e jashtëzakonshme dhe do të diskutohet për Nehat Thaçin, raporton Insajderi.

Mirëpo, partia më e madhe opozitare në Kosovë, Vetëvendosje nuk mendon se “qeveria aktuale e apo Kuvendi i Kosovës të dalë me diçka serioze rreth arrestimit të Thaçit”.

“Ne nuk shohim që ka fije serioziteti tek kjo qeveri për të dalë me diçka serioze në lidhje me rrëmbimin e Nehat Thaçi, qoftë nga vetë qeveria apo edhe nga Kuvendi”, ka thënë Teutë Rrusta, koordinatore e Qendrës në Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas VV-së, arrestimi i drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë është arsye për ndalimin e dialogut me Serbinë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se tani ka qenë një arsye shtesë për t’i dhënë fund dialogut edhe ashtu të padrejtë dhe të pabarabartë me Serbinë, dhe këtë dialog ta kushtëzojë. Sepse nuk ka kuptim të ketë ende dialog, kur Serbia nuk të njeh, dhe për me tepër, kur flitet për përmirësim raportesh, ajo vepron në ketë mënyrë”, ka thënë ajo.

Pos VV-së, seanca që pritet të mbahet nesër në Kuvendin e Kosovës, nuk pritet të sjellë diçka të hairit as për njohësin e politikës, Imer Mushkolaj.

“Shteti i Kosovës nuk ka bërë sa duhet për rastin e Thaçit. Angazhimi dhe presioni për lirimin e tij do të duhej të ishte shumë më i madh. Seanca e nesërme më shumë do t’iu shërbejë subjekteve politike për akuza e kundërakuza, sesa do të ndihmojë që Thaçi të lirohet”, ka thënë Imer Mushkolaj, për Insajderin.

Sipas tij, seanca e jashtëzakonshme e thirrur për arrestimin e drejtorit të policisë në Mitrovicë, është e paefektshme dhe e vonuar.

Mushkolaj ka potencuar se vetëm “presioni më i madh diplomatik mund të bëjë punë në lirimin e Nehat Thaçit”.

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçi, ka hedhur sot poshtë aktakuzën e Prokurorisë serbe për krim të organizuar dhe të jetë përgjegjës për dëbimin e një familjeje serbe.

Avokati i tij Sead Spahoviq ka thënë për “Blic” se Thaçi është marrë në pyetje 15 ditë pas arrestimit dhe kjo është e palejueshme./Insajderi.com