Sejdiu: Dorëheqja e Mustafës është me bisht

Sejdiu: Dorëheqja e Mustafës është me bisht

Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu është deklaruar për zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndër të tjerash, Sejdiu deklaroi se LDK duhet që sa më shpejtë të punojë në rindërtimin e brendshëm, në mënyrë që dëmet të jenë më të vogla.

Sipas tij deklarimi i parë i Isa Mustafës se nuk e di arsyen e humbjes së LDK-së në përqindje kaq të vogël, Sejdiu tha se është e papranueshme të mos dihet çfarë ka ndodhur.

“Është madje e pakuptimtë të thuhet një gjë e tillë. Pra është dorëheqje me bisht, dorëheqje që në një formë apo tjetër zvarrit procesin e përgjegjësisë. Unë nuk mendoj se ta zëmë të shkohet në përgjegjësitë të futjes së kokave në kohën bizantine por them se LDK në këtë situatë s’ka kohë për të humbur. Nëse në proceset e mëhershme nuk janë bërë përfshirja e afateve të rregullta, pra s’është përfillë statusi sepse ka informacione se pati largime të njerëzve të devotshëm brenda vendit apo jashtë vendit, e që i ka ndikuar LDK-së. Votat nga jashtë janë të pakta e tash duhet të vrapojë të zë kohën e humbur”, tha Sejdiu në T7, shkruan lajmi.net.

Fatmir Sejdiu deklaroi se duhet të formësohet një formacion i ri brenda LDK-së, në hartimin e një funksioni të ri për rimëkëmbjen e partisë.

“Një Këshill që e çon drejt zgjedhjeve të brendshme, e jo me këtë model që e kanë tani. Ka njerëz të mirë se s’du të bëjë akuza të përgjithshme, por do të ishte mirë të bëhet diçka më ndryshe pra në krijimin e një ekipe që do të merrte përgjegjësinë e proceseve shpejt e shpejt për të arritur një ringjallje të zgjedhjeve që ndoshta do të zgjasnin më së shumti 2 muaj dit. Përndryshe në këtë mënyrë apo dembeli e ecje që askush të mos jap llogari, pasojat janë shumë të mëdha”, shtoi ai./Insajderi.com