Sejdiu flet për kuvendin zgjedhor për të parin e LDK-së: Kosovës i duhet lidershipi i LDK-së

Sejdiu flet për kuvendin zgjedhor për të parin e LDK-së: Kosovës i duhet lidershipi i LDK-së

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Fatmir Sejdiu, ka uruar LDK-në, për përmbylljen e suksesshme siç ka thënë ai, të zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie.

Ai ka thënë se LDK është shtëpi që e ndërtuam bashkërisht dhe që duhet ta mbajmë të foto dhe madhështore. Ndërsa nuk ka treguar ende se a do të kandidojë për të parin e kësaj partie.

“Në Kuvendin e ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ne duhet të gjithë bashkë, me unitet veprimesh si një forcë politike prijëse, të mobilizohemi edhe njëherë për të realizuar plotësisht vizionin e Kosovës shtet i pavarur, sovran, e demokratik. Për ta bërë Kosovën një vend normal dhe me perspektivë të qartë të zhvillimit, në të cilin të gjithë duam të jetojmë. Një Kosovë në të cilën sundon rendi dhe ligji dhe që përparon shpejt në procesin e integrimit euroatlantik- në BE dhe në NATO, dhe që mban fuqishëm bashkëpunimin e miqësinë e përhershme me SHBA-të”, ka shkruar ai duke vazhduar të thotë se me vizion e veprime të qarta, e bashkuar dhe me lidership të urtë të dalë nga Kuvendi i ardhshëm, LDK, sipas tij, do të dëshmojë se është e fuqishme pikërisht se është parti e njerëzve të lirë dhe me përkushtim të madh demokratik.

“Kosova është duke kaluar në një fazë kritike tash e sa vjet. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e vizionit të qartë dhe e veprimeve të qëndrueshme e të guximshme, i duhet më shumë se kurrë në udhëheqje vendit tonë”, ka vazhduar Sejdiu.

“Kosovës i duhet lidershipi i LDK-së i vendosur në mbrojtje dhe ruajtje të sovranitetit shtetëror dhe të integritetit territorial të Kosovës, që është të vënë në shënjestër nga veprimet e Serbisë të kamufluara në pakon e “dialogut me Kosovën””.

“Me vizion të qartë dhe me lidership të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm që do të jetë përfaqësues i identitetit të një partie me vlera të dëshmuara politike, nacionale, humane dhe qytetare; si një forcë politike e përgjegjshme para interesave të qytetarëve të Kosovës, LDK do të jetë e gatshme të marr përsipër drejtimin dhe qeverisjen e vendit në mandatin e ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet nacionale para nesh”.

“Siç e kam thënë edhe më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës është vlerë sublime politike e Kosovës, ndërsa është detyrë e jona ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej këtë vlerë!
LDK është shtëpi që e ndërtuam bashkarisht dhe që duhet ta mbajmë të fortë dhe madhështore, po bashkërisht. LDK është shpresa dhe e ardhmja e këtij vendi”, ka përfunduar Fatmir Sejdiu./ Insajderi.com