Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar sot zgjedhje në të gjithë strukturat e kësaj partie, por që kërkesa e tij është refuzuar, transmeton Insajderi.
Kështu bëri të ditur vetë ai në një prononcim për media derisa LDK po mban Kuvendin Zgjedhor për kryetar të ri të partisë.
Sejdiu ka kritikuar këtë subjekt, e për statusin e LDK-së, që sipas tij ia ka zënë frymën kësaj aprtie dhe ka degjeneruar proceset zgjedhore.
“Nuk janë respektuar rregullat statutare që ka LDK’ja. Po bëhen dy vjet në verë që LDK ka pasur një proces zgjedhor, ka zgjedhur kryetarin e saj, dhe nuk ka lejuar një proces të votimit të fshehtë të kandidatëve, kjo nga frika e rezultatit për votat e fshehta. Ne kemi statusin që ia ka zënë frymën LDK’së dhe e ka degjeneruar, sidomos në proceset zgjedhore. Kanë dërguar lista kush do të jetë delegatë nën degë dhe në Kuvend. LDK ecjen e saj do të duhej ta zhvillonte në bazë të një procesi zgjedhor ferr që do të zhvillohej”, ka deklaruar ai.
Sejdiu ka treguar edhe për propozimet që i ka dhënë sot në Kuvendin Zgjedhor.
“Unë kërkova që të futet në rend ndërtimi i një trupi punues që do të merrej me hartimin e dokumenteve bazike, dhe me atë pjesë të dokumenteve të rëndësishme, duke filluar nga një deklaratë politike në të cilën do të shpreheshin qëllimet programore, e trupi të merrej me çështjet e statusit të LDK. Unë janarin e vitit 2021, saktësisht më 30 janar, 11 faqe tekst i kam dorëzuar pas debatit që kam pasur për ndryshimet në status”, ka shtuar ai. /Insajderi.com