Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani për mosreagimin lidhur me vdekjet e ditëve të fundit nga COVID-19, njofton Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, Sejdiu ka shkruar vetëm në katër ditët e fundit si pasojë e infektimit me Coronavius kanë vdekur 40 persona dhe në total sot janë 97,966 raste pozitive dhe 1,988 jetë të humbura.
Sipas tij, për këto katër ditë, Kurti ka postuar statuse çdo ditë për zgjedhjet në Shqipëri, kurse Osmani nuk ka pasur as edhe një reagim në lidhje me situatën me pandemi.
“Ministrat e Qeverisë dhe deputetët e Republikës sonë, shihen në rrugët e Fierit dhe Laçit duke lobuar për kandidatët atje. Disa prej tyre edhe në plazhet e Durrësit dhe në kafenetë e Tiranës.
“Nuk kam asgjë kundër angazhimit as edhe vizitës në Shqipëri, taman puna por krejt kjo do të ishte e kuptueshme dhe normale nëse do të na tregonin se si do i arrijnë numrat e premtuar për 60 për qind të qytetarëve të vaksinuar deri në fund të vitit dhe si do t’i ndihmojnë ekonominë e bizneset e prekura”, ka thënë ai./Insajderi.com