Sejdiu: Mini-Schengeni do të kishte kuptim nëse shqiptarët do t’i prinin procesit

Sejdiu: Mini-Schengeni do të kishte kuptim nëse shqiptarët do t’i prinin procesit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dardan Sejdiu, ka deklaruar se idea e mini-Schengenit Ballkanik është vazhdimësi e Procesit të Berlinit, duke shtuar se benefitet e Kosovës në këtë mini-Schengen janë minimale, transmeton Insajderi.

I ftuar në emisionin ‘Rubikon’ të Klan Kosovës, Sejdiu tha se kjo iniciativë do të kishte kuptim vetëm nëse do t’i paraprinin shqiptarët.

“Unë besoj që ky shengeni ballkanik apo mini shengeni siç po i themi së fundmi apo edhe Jugosllavia e Re që po e përmendin disa të tjerë është thjeshtë vazhdimësi e diskutimeve të Procesit të Berlinit dhe orvatjes që këtë treg këtu ta bëjmë sa më të integruar”, ka thënë ai.

“Problemin e kam tek niveli i zhvillimit dhe dobitë që i ka Republika e Kosovës prej një integrimi të tillë në një treg të tillë. Benefitet për neve janë fare minimale dhe shpesh e kam thënë se Kosova bëhet vend transit për mallra të shteteve tjera dhe konsumues për mallra të atyre shteteve që ndalen këtu tek ne”.

“Mini-shengeni apo Procesi i Berlinit për mua do të kishte kuptim nëse këtij procesi do t’i paraprinin ne si shqiptarë duke e trajtuar një lloj të intergimit në një treg rajonal prej pozicionit të komplementaritetit të njëra-tjetrës”.

“Dy qeveri të cilat takohen çdo gjashtë muaj dhe bëjnë shoë e ndërtojnë brende për çdo konferencë që kanë, por në asnjë moment nuk krijojnë politika komplementare të cilat e bëjnë njëra-tjetrën më të fuqishme dhe më të pozicionuara karshi tregut rajonal – për mua është vetëm pozicion politik i domosdoshëm për këto elita që tash e 30 vjet na sillen vërdallë në Kosovë e Shqipëri. Pra, elita të cilat kanë nevojë për tema të mëdha internacionale në mënyrë që të krijojnë konflikte të vogla nacionale”, ka thënë Sejdiu. /Insajderi.com