Sejdiu për rastin Haradinaj-Stublla: Po ndodhë shtrembërim i vullnetit qytetar

Sejdiu për rastin Haradinaj-Stublla: Po ndodhë shtrembërim i vullnetit qytetar

Opinionisti Dardan Sejdiu, thotë se çështja e manipulimit të votave tregon shtrembërim të vullnetit të qytetarit, njofton Insajderi.

Sipas tij, rasti i kandidates për deputete nga Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla vetëm se e shpërfaq në realitet situatën e krijuar me zgjedhjet në Kosovë, që ndodhë tash e sa kohë.

”Këtu po ndodhë shtrembërim i vullnetit. Një deputet i cili ka një qasje programatike, ideologjike, i dhënë pas këtij shërbimi publik jo domosdoshmërisht i numërohen votat saktësisht. Rasti i Haradinaj-Stublla, pa dashur ta paragjykojë përfundimin e hulumtimit të kësaj çështje, e shpërfaq këtë guxim dhe këtë çështje që tash e një kohë të gjatë ndodhë në zgjedhjet në Kosovë”, thotë Sejdiu në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës.

”Kam qenë kandidat në zgjedhje në 2014, 2017, 2019 dhe nuk besoj që ata që kanë qenë në garë për deputetë, nuk dyshojnë që ndodhin këto lloj manipulimesh brenda listave. Nuk më takon mua në 2021 të flas për përvojën në 2019 por ajo çka ka qenë evidente është se ka pasur manipulim me votë, dhe lëvizje të numrave të një kandidati tek një kandidat tjetër”.

”Dhe nëse e mbani mend ka ndodhur një rinumërim i tërësishëm në atë kohë. Por që dukuria po vazhdon, kjo është e qartë. Po ndodh një shtrembërim i votës së qytetarit, në favor të atyre që kanë mundësi financiare apo organizative”, shton ai.

Megjithatë ai rithekson se duhet të bëhet rinumërim i votave, edhe nëse vetëm ka një fije dyshimi se ka pasur manipulim votash.

”Nëse ka një fije të dyshimit se ka pasur manipulim me vota për deputet, komplet procesi për deputet duhet të rinumërohet. Nuk guxojmë të lejojmë shtrembërim të vullnetit. Duhet bërë rinumërim i plotë i këtyre votave. Çdo tentim për shtrembërim i vullnetit të qytetarit karshi përfaqësimit të deputetëve, është gjithashtu shtrembërim i mënyrës se si do të përfaqësojë kuvendin”, ka thënë Sejdiu. /Insajderi.com