Sekretari amerikan i Shtetit kërkon nga Vuçiqi njohjen reciproke me Kosovën

Sekretari amerikan i Shtetit kërkon nga Vuçiqi njohjen reciproke me Kosovën

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njohjen reciproke me Kosovën.

Letra e cila ishte i ishte dërguar Vuçiqit më 23 shkurt, është publikuar nga mediumi serb Novosti.

Në letër Blinken ka shkruar se synimi i SHBA-së është një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës të përqendruar te njohja e ndërsjellë.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve do të çojë përpara të ardhmen evropiane të gjithë rajonit”, kishte shkruar Blinken ndër tjera, në letrën që ia kishte dërguar Vuçiqit jashtë protokollit të zakonshëm, e ku në fund të saj kishte shkruar edhe një mesazh me stilolaps, raporton Novosti.

Blinken edhe në një letër dërguar autoriteteve serbe, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë kishte thënë se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromis./Insajderi.com