Sekuestrohen 640 kilogramë hashash në formë pluhuri dhe çokollate

Sekuestrohen 640 kilogramë hashash në formë pluhuri dhe çokollate

Policia e Vlorës ka sekuestruar 640 kilogramë hashash në formë pluhuri, çokollate dhe vaji hashashi dhe ka prangosur gjashtë persona që po përpiqeshin ta trafikonin atë në Itali.

Në operacionin e koduar “Sea” morën pjesë 40 forca policie dhe veç drogës u sekuestruan gjithashtu edhe pesë automjete dhe një gomone, raportojnë mediat shqiptare.

Grupi i parë i personave prej tre vetash përbëhej nga shtetasit Mario Brahimi, 24 vjeç, Berdo Rruçaj, 34 vjeç, Halil Kushta, 24 vjeç, që të gjithë banues në Orikum, përcjell albinfo.ch.

Policia thotë se ata u arrestuan në flagrancë në vendin e quajtur Pasha Liman duke transportuar në automjete lëndën narkotike.

Më pas, Petraq Selamaj, 40 vjeç, Aleks Duraj, 35 vjeç dhe Erjon Belaj 28 vjeç, që të gjithë banues në Vlorë u kapën në ishullin e Sazanit me mjetin lundrues gomone, me të cilin do të kryhej trafikimi i drogës.