Sekuestrohen mbi 135 mijë euro që dyshohet se janë fituar në mënyrë të kundërligjshme

Sekuestrohen mbi 135 mijë euro që dyshohet se janë fituar në mënyrë të kundërligjshme

Njësia anti-drogë e Policisë së Kosovës ka sekuestruar 135 mijë e 800 euro në veri të Mitrovicës, para këto që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, njofton Insajderi.

Siç njofton policia, në këto valuta përfshihen euro, dollarë, franga, kruna e dinar.

“Gjatë realizimit të operacionit policor në dy lokacione të ndryshme janë sekuestruar para në valuta të ndryshme në €uro, Dollar-$, Franga, Kruna, Dinar, sprej si dhe një sasi e substancave të dyshuara narkotike 126 gr. marihuanë e dedikuar për shitje, etj. Paratë e sekuestruara dyshohet se janë të fituara nga shitja e substancave narkotike të cilat gjendeshin të vendosura nëpër zarfe: €uro: 81.374 Dinar: 6.392.160, Dollar USA 200, Franka Zvicerane: 100, Kruna Suedeze: 300”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe tri fletore ku dyshohet se i dyshuari ka mbajtur shënime në lidhje me shitjen e substancave narkotike.

I dyshuari me inicialet N.P., është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore./Insajderi.com