Sela ka dyshime për rezultatin e zgjedhjeve

Kryesuesi i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativës, Ziadin Sela ka falënderuar të gjithë votuesit. Por, ai ka edhe dyshime për rezultatin e zgjedhjeve.

Sela ka dyshime për rezultatin e zgjedhjeve

Ziadin Sela, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar të gjithë votuesit qe e besuan platformën “Shtet për të gjithë”, por gjithashtu ai ka shprehur edhe dyshime dhe pakënaqësi rreth rezultatit te zgjedhjeve, njofton Insajderi.

Sela ka thënë se vonesat e shumta rreth rezultateve ngjallin dyshime, si dhe ka informacione nga tereni të cilat thonë se janë në kundërshtim me rezultat e shpallura nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

“Shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për lojërat që po bëhen me mosshpalljen e rezultateve të zgjedhjeve. Vonesat e tepruara na ngjallin dyshime për manipulim të mundshëm të procesit zgjedhor dhe rezultatit final. Ka shumë informata nga terreni që nuk përputhen me rezultatet e nxjerra nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ka shumë rezultate të dyshimta në shumë vendvotime.

Ka pasur tentime serioze, por edhe veprime që për qëllim kanë pasur tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve”.

Në fund Sela ka deklaruar se shtabi zgjedhor i koalicionit që ai ka drejtuar ka denoncuar me dhjetëra raste si dhe pas rezultateve përfundimtare do të bëjë ankesat e nevojshme, bashkë me fakte dhe prova konkrete për shkelje në procesit zgjedhor.

“Shtabi jonë i përbashkët ka denoncuar dhjetëra raste të tilla në organet përkatëse, por edhe në institucionet relevante ndërkombëtare.

Apelojmë që sa më shpejtë të dilet para opinionit dhe të bëhen publike rezultatet e votës qytetare të shprehur më 13, 14 dhe 15 Korrik. Të mos krijohen vonesa të panevojshme. Të zbardhet çdo dyshim që ka të bëjë me manipulimin e vullnetit të qytetarëve. Institucionet të veprojnë.

Gjithashtu, ju njoftojmë se Shtabi i përbashkët i Koalicionit “Tash është Koha”, pas zyrtarizmit të rezultatit, do të përgatisë edhe ankesat e nevojshme, bashkë me fakte dhe prova konkrete për shkelje në procesit zgjedhor”.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni janë mbajtur dje, ku sipas rezultateve preliminare koalicioni që ka drejtuar Sela ka dal i dyti në radhën e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut./Insajderi.com