I pari i Aleancës për Shqiptarët, Zjadin Sela, pasi përfundoi obligimin e tij qytetar dhe Kushtetues në zgjedhjet nacionale të Maqedonisë së Veriut, ka shprehur shqetësimin e tij se pjesa shqiptare e partive në pushtet po bëjnë presion dhe shantazh te qytetarët.
Menjëherë pasi ka votuar në zgjedhjet e përgjithshme të fqinjit jugor të Kosovës, Sela është shprehur i bindur se në mbrëmjen e sotme do të rivendoset demokracia dhe t’i jepet fund monizmit 18 vjeçar.
“Ecuria është e kënaqshme njerëzit dalin të votojnë. Besoj që sot do të rivendoset demokracia dhe do të jepet fund monizmit 18 vjeçar”, u shpreh ai.
Sela tutje dënoi disa prej incidenteve që kanë ngjarë sot gjatë procesit zgjedhor, duke u bërë thirrje tutje qytetarëve që të dalin në mënyrë masive për të votuar.
“Pushteti vazhdon me atë që ka bërë periudhën e fundit, pjesa shqiptare e pushtetit duke bërë presion dhe shantazh tek qytetarët”, deklaroi Sela.
“Është një ditë e rëndësishme sot për demokracinë e vendit, është një ditë e rëndësishme për proceset euro-integruese. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të dalin sa më masovikisht, kuptohet duke u kujdesur dhe të shprehin vullnetin e tyre. Të flasin zëshëm për gjithçka që s’kanë mundur të flasin nga zgjedhjet e fundit të 2016. Me fjalë të tjera sot është dita kur fuqia është në dorë të qytetarit dhe votuesit, e jo në dorë të funksionarëve partiak të cilët ndoshta ia kanë sjell në majë të hundës qytetarëve”, tha ai.
Nga ana tjetër, sot pas votimit është deklaruar edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili pret që BDI të dalë fitues absolut nga zgjedhjet që po mbahen në Maqedoninë e Veriut.
“Tani, nëse nuk e thyeni heshtjen zgjedhore unë mund të flas edhe për këtë temë, por dihet që ne kemi punuar mjaftë, kemi shpjeguar mjaftë opsionet tona, platformat tona, dhe unë pres që të jemi fitues absolut në kombin shqiptar”, ka thënë Ahmeti. /Insajderi.com/