Sela: Rruga e vetme është rezistenca – Gashi: Ditë e rëndë për shqiptarët

Sela: Rruga e vetme është rezistenca –  Gashi: Ditë e rëndë për shqiptarët

Kryetari i partisë Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, para Kuvendit tha se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka aspak legjitimitet, sepse se e ka të blerë dhe të vjedhur, të shantazhuar dhe të frikësuar, njofton Insajderi.

“Edhe këtë shantazh të cilën e bëri ditën e zgjedhjeve vazhdoi me të njëjtën logjik dhe shantazhoi veten me kryeministrin shqiptar. Ajo që i cilëson ata post komunist në logjik dhe në bindje, natyrisht që nuk mund të bënte përjashtim nga forma në momentin që do të negocionin. E thonë edhe vetë në paraqitjet e tyre, forma pa përmbajtje quhet simbolikë. Dhe fatkeqësisht BDI çdoherë mundohet të paraqesë formë dhe aspak përmbajtje. Kjo është simbolika e tyre.”, deklaroi Ziadin Sela.

Ai tha se ata do të jenë në vazhdimësi së bashku me deputetët e tyre për të mbrojtur interesin e qytetarëve.

“Për t’u thënë shqiptarëve që mundet edhe përtej mundësive. Për të ju thënë oponentëve tanë që tani nuk do të kenë përballë vetëm parti politike të cilët dhunës së tyre do t’u përgjigjen me metoda demokratike. Nëse është e nevojshme ne si koalicion bashkë me popullin do të organizojmë rezistencë për ta mbrojtur lirinë, për ta mbrojtur votën, për ta mbrojtur verdiktin e gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut. Rrugë tjetër nuk ka përveç se rezistencë për të mbrojtur vlerat dhe për të pastruar nga skena politik anti-vlerat”, tha Sela.

Ndërsa kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, para kuvendit tha se dje ishte një ditë e rëndë për shqiptarët.

”Dje u konstatua se është arritur një marrëveshje mes dy subjekteve prej të cilave njëra është e delegjitimuar totalisht për shkak se ka heq dorë nga premtimi i saj kryesor; kryeministri shqiptar.

“Andaj ne si përfaqësues të shqiptarëve, të 82 mijë votave dhe gjithë shqiptarëve tjerë që nuk e duan mashtrimin dhe e duan demokracinë tek shqiptarët jemi këtu për të ju thënë atyre se ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat e tyre. Do ta bëjmë betejën e fuqishme, nuk do të ndalemi asnjë ditë në këtë kuvend, duke i përdor gjitha mjetet demokratike që vullneti i shqiptarëve një ditë të vijë në vendin e vet”, tha Gashi.

Ai deklaroi si i vjen keq ngase shumë të rinj “prej sot kanë marrë valixhet e tyre për të ikur në perëndim”.

“Por ne ju bëjmë thirrje atyre të durojnë edhe pak. Jam i bindur se kjo qeveri është ndërtuar mbi këmbë të qelqta dhe në goditjen e parë e dini qelqi thyhet. Jam i bindur se në goditjen e parë jetëgjatësia e kësaj qeverie do të jetë e shkurt dhe shpresa në këtë vend do të kthehet”, deklaroi më tej Gashi./Insajderi.com