Selimi: Aksioni i sotëm policor dëshmon se kemi prokurorë profesional dhe të zotë

Selimi: Aksioni i sotëm policor dëshmon se kemi prokurorë profesional dhe të zotë

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se aksioni i së mërkurës i Policisë së Kosovës dëshmon se Kosova ka prokurorë profesionalë “të cilët po e luftojnë krimin e organizuar”, njofton Insajderi.

Në një postim në Facebook, Selimi është shprehur krenar me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës.

“Aksioni i sotëm i organeve të rendit në Ministrinë e Bujqësisë dëshmon që Republika e Kosovës ka prokurorë profesionalë dhe të zotë që me seriozitet të lartë po e luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Përkrahje pa fund për guximin dhe përkushtimin për sundim të ligjit. Krenar me Prokurorinë dhe Policinë!”, ka shkruar ai.

Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës ka nisur një operacion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ky aksion është zhvilluar edhe në disa komuna tjera të Kosovës si Istog, Lipjan, Podujevë e Gjilan. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 12 persona, 10 prej tyre zyrtarë shtetërorë.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe disa zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Agim Nuha.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka njoftuar se të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale si: marrje dhe dhënie ryshfeti, keqpërdorim të subvencioneve etj.

Ai po ashtu ka thënë se gjatë këtij operacioni janë konfiskuar një sasi e parave (rreth 400 mijë euro), vetura, lap-topë e kompjuterë./Insajderi.com