Selimi: Akuzat ndaj meje, tentim i tërheqjes së vëmendjes nga dështimet e Qeverisë Kurti

Selimi: Akuzat ndaj meje, tentim i tërheqjes së vëmendjes nga dështimet e Qeverisë Kurti

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar se akuzat e ministres aktuale të këtij dikasteri, Albulena Haxhiu, janë përpjekje për ta tërhequr vëmendjen nga siç ka thënë ai, dështimet e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, transmeton Insajderi.

Lidhur me nismën e Haxhiut për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, për shkak të çështjes së një prone, Selimi është shprehur i gatshëm të ballafaqohet me ministren, meqë sipas tij, ky proces kishte filluar para mandatit të tij duke thënë se akuzat janë me motive krejtësisht politike.

“Ajo çështje ka filluar para se të vijë unë si minister dhe ka vazhduar edhe më tutje, edhe në të gjitha nivelet, qoftë të ministrisë, qoftë të zyrës kryeministrit, për t’u mbrojtur një pronë e SHKK-së, një pronë e cila është mbrojtur, është dhënë në shfrytëzim pa u humb pronësia e saj për ta pasuruar buxhetin e Republikës së Kosovës. Ka qenë në ankand publik. Çkado që them tani në emision, do duket sikur po e mbroj një çështje të pambrojtur. Unë e kam ftuar Ministren Haxhiu dhe Blerim Sallahun që ta dërgojnë dosjen në Prokurori. Unë ka 22 vjet që punoj në sistem të Drejtësisë”, ka pohuar ai në Klan Kosova.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të premten ka iniciuar procedurat e shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi. Kjo për shkak se nga kjo ministri është konstatuar se Thaçi ka shkelur ligjin duke dhënë në shfrytëzim një pronë të ministrisë për një kompani private./Insajderi.com