Selimi i kërkon Haxhiut ta publikojë dosjen: Rasti i tokës së SHKK-së filloi para mandatit tim

Selimi i kërkon Haxhiut ta publikojë dosjen: Rasti i tokës së SHKK-së filloi para mandatit tim

Ish-Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar pas konferencës së Ministres së tanishme të këtij dikasteri, Albulena Haxhiu, e cila e përmendi emrin e tij në rastin e tokës së Ministrisë së Drejtësisë në Vushtrri të dhënë në shfrytëzim, njofton Insajderi.

Selimi me anë të një postimi në Facebook, tha se Haxhiu e di mirë që ky proces ka nisur para mandatit të tij si Ministër i Drejtësisë.

Ai kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që ta publikojë gjithë dosjen, ose në të kundërtën do ta kërkojë zyrtarisht atë dhe do ta publikojë.

“Sot Ministrja e Drejtësisë ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka dhënë një sërë akuzash rreth punës sime në Ministri me motive krejtësisht politike. Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së SHKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin”, ka shkruar Selimi.

“Ftoj ministren që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë”, është shprehur më tej ai. /Insajderi.com