Selimi i kundërpërgjigjet Haxhiut lidhur me debatin për pensionistët: Qeveria e ndërron udhëzimin, jo Kuvendi

Selimi i kundërpërgjigjet Haxhiut lidhur me debatin për pensionistët: Qeveria e ndërron udhëzimin, jo Kuvendi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka reaguar ndaj deputetes së AAK-së Teuta Haxhiut, e cila propozoi të hiqet kushti prej 15 vitesh stash pune për pensionet kontributdhënëse.

Selimi tha se kufizimet për të përfituar pensionistët kontributdhënës nuk i heq ose nuk i ndërron Kuvendi, por Qeveria.

“Ajo që dua të them, ne si VV jemi që kjo çështje të zgjidhet dhe t’i heq kufizimet për të përfituar pensionistët kontributdhënës. Por kemi të bëjmë me një udhëzim administrativ dhe këtë nuk e ndërron Kuvendi, atë e ndërron dikush në Qeveri, madje ai nuk është kryeministër, mund ta bëjë ministri”, tha ai.

Po ashtu Selimi i tha deputetes Haxhiu që si deputetë të shumicës po kërkojnë nga Kuvendi një gjë që nuk është arritur nga qeveria e Haradinajt.

“Një gjë që unë nuk kuptoj, edhe atëherë, edhe sot, deputetët e mazhorancës kërkojnë nga Kuvendi që t’i rekomandoj Qeverisë, të cilët e kanë votuar, e kanë zgjedhur, që i bie se ajo që nuk është arritur nga Haradinaj po kërkohet të bëhet nga Hoti”, deklaroi ai.

“Prandaj zonja Haxhiu, drejtojuni Qeverisë suaj, nuk po kuptoj çfarë po kërkoni nga ne, e ke adresën gabuar, nuk është kjo dera që e zgjidh këtë problem. Këtë kërkojani Qeverisë suaj. Nëse doni zgjidhje, e bën Qeveria dhe jo Kuvendi”, përfundoi Selimi. /Insajderi.com/