Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se nuk është pjesë e delegacionit që ka udhëtuar sot për në Bruksel së bashku me Skender Hysenin, ku nesër do të mbahet takimi i radhës me palën serbe në kuadër të procesit të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, njofton Insajderi.
Selimi ka sqaruar se nuk do të jetë i pranishëm në këto takime, meqë ai do të mbahet në nivel të ekspertëve, ku temë diskutimesh do të jetë çështja e reparacioneve dhe dëmeve të luftës.
“Temat që janë në proces të dialogimit tash kanë të bëjnë me reparacionin edhe me çështjen e dëmeve të tjera të luftës dhe suksesionin. Janë tema që na interesojnë për shkak se Serbia ka përgjegjësi për të gjitha ato dëme dhe çështjen e suksesionit në të cilën nuk ka kaluar Kosova atëherë kur është bërë suksesioni i ish-Jugosllavisë. Ky është niveli i dialogimit i koordinatorit nacional, unë e kam shprehur mendimin dhe shqetësimin tim që nuk duhet të rrëshqasim në dialog teknik”, ka theksuar Selimi.
Veç tjerash ai tha se nuk është i informuar që nëse në këto takime do të diskutohet edhe çështja e asociacionit.
“Nuk e kam atë informatë nëse e marr vesh në ndërkohë ju lajmërojë. Por, nuk e kam atë informatë që temë do të jetë asociacioni”, tha Selimi. /Insajderi.com