Selimi përdorë bisedën e humoristëve rusë me Zaevin si fakt për “planet e Thaçit dhe Vuçiqit”

Selimi përdorë bisedën e humoristëve rusë me Zaevin si fakt për “planet e Thaçit dhe Vuçiqit”

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, përmes një konference për media, tha se përgjimet e publikuara të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev me me dy humoristët rusë, lidhen me një deklaratë të Thaçit, që sipas tij vërteton se Zaev ka informacione të sakta për planin e Thaçit për ndarjen e Kosovës, shkruan Insajderi.

“Në këto biseda Zaev shpreh shqetësimin se presidenti i Kosovës përmes planit për coptimin e Kosovës po vepron sipas skenarit të Moskës. Paramendojeni, kryeministri i Maqedonisë është i shqetësuar për hallin e Kosovës. Kryeministri shprehet si i informuar mirë me këto plane që kanë të bëjnë me ndarje të Kosovës. Një gjë të tillë e vërtetojnë edhe vetë deklarata e Thaçit në atë kohë lidhur me këtë çështje, ku citoj: “Në ditët e kaluara kam pasur takime shumë të rëndësishme me politikanë kryesorë të shteteve fqinje të rajonit. Së pari takova Ilir Metën, presidentin e Shqipërisë, pastaj në Podgoricë u prita nga Xhukanoviq, presidenti i Malit të Zi, dhe në fund bisedova në Shkup me Zoran Zaevin, kryeministrin e Maqedonisë” . Kjo vërteton edhe njëherë që Zoran Zaev ka qenë i informuar edhe nda dora e parë, në këtë rast nga presidenti i Kosovës”, tha Selimi.

Ai tha se përgjimet e publikuara dje, duhet të na shqetësojnë të gjithëve.

“Janë dhjetëra veprime të Thaçit në dëm të Kosovës, por ato që i dëgjuam nga kryeministri maqedonas duhet të na shqetësojnë të gjithëve”, tha Selimi.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ra pre e një loje përgjimi, ku dy komedianë rusë zhvilluan me të një bisedë telefonike duke u prezantuar si ish-presidenti i Ukrainës Poroshenko, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg.

Gjatë bisedës kreu i qeverisë maqedonase u shpreh se presidenti Aleksandar Vuçiq, Hashim Thaçi dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama kanë rënë dakord për ndryshimin kufijve, e ata mbështeten nga Turqia dhe Rusia, që po ashtu kanë të tjerë interesa. /Insajderi.com