Selimi: Politika të qëndrojë larg sistemit të drejtësisë – përzirjet deklarative e dëmtojnë atë

Selimi: Politika të qëndrojë larg sistemit të drejtësisë – përzirjet deklarative e dëmtojnë atë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se politika duhet të qëndrojë larg sistemit të drejtësisë, pasi që sipas tij, çdo përzierje deklarative e dëmton këtë sistem.

“Tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga procesi i selektimit në KPK ka qenë shqetësuese dhe unë kam shprehur shqetësimin tim për shkak se ne kemi atë partneritet dhe me këtë funksionojmë dhe ata kanë hise në zhvillimin tonë aq sa kemi edhe ne, një tërheqje e tillë normalisht na shqetëson. Fatmirësisht Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reflektuar dhe doli me një deklaratë ku përkrahu rishikimin funksional i cili vjen nga Ministria e Drejtësisë”, tha ai në ‘Sytë 7’ të Klan Kosovës.

“Që nga marrja e mandatit nga ana ime është që politika t’i mbajë duart larg nga drejtësia. Ne duhet të ndërtojmë mekanizma që sa më pak të përzihemi në drejtësi dhe t’u japim atyre pavarësinë e vet. Por sa i përket hetimeve dhe ngritjeve të aktakuzave dhe gjykimit, ne nuk duhet të përzihemi dhe mendoj se kjo është qasja më e mirë – ata duhet të punojnë punën që kanë dhe ne punën tonë”, shtoi ai.

“Çdo përzierje qoftë deklarative e dëmton sistemin e drejtësisë, andaj ne kemi zgjedhur këtë rrugë dhe do i ndërtojmë të gjitha politikat për t’i qëndruar besnik kësaj motoje”, deklaroi Selimi. /Insajderi.com