Selimi thotë se Limaj e kishte telefonuar që të mblidhen për ta zhbërë Gjykatën Speciale

Selimi thotë se Limaj e kishte telefonuar që të mblidhen për ta zhbërë Gjykatën Speciale

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka dhënë detaje lidhur me kohën kur po kërkohej shfuqizimi i Gjykatës Speciale, përkatësisht më 22 dhjetor të vitit 2018, transmeton Insajderi.

Selimi tha se në atë natë ka pranuar një thirrje nga Fatmir Limaj, i cili i kishte thënë që të mblidhen për ta zhbërë Gjykatën Speciale, duke treguar se atë natë ka pasur një institim të jashtëzakonshëm që të përfundohej kjo nismë.

Ai tutje ka mohuar se e kishte ofruar votën e Vetëvendosjes për ta shuar misionin e Speciales.

”Në një mbrëmje dhjetori na është kërkuar nga ne që të mblidhemi shpejtë e shpejtë, e ta bëjmë shfuqizimin e Gjykatës Speciale”.

”Nuk është e vërtetë. Po spekulohet. Isha i vetëdijshëm se nuk zhbëhet ajo çfarë është vendosur me 2/3-at”.

”Kam qenë në një mbrëmje atë natë. Kam pranuar një thirrje nga Fatmir Limaj. Kam qenë i thirrur që të mblidhemi në seancë atë natë. Pyetja ime ishte: Pse është kaq për ngutë?. Më tha ‘të mblidhemi shpejtë e shpejtë, e të veprojmë – që ta zhbëjmë Gjykatën Speciale”.

”Unë e di edhe atëherë edhe sot se Gjykata Speciale nuk zhbëhet sepse është futur në Kushtetutë, e Kushtetuta nuk ndërrohet me Ligj, e aq më tepër marrëveshjet ndërkombëtare nuk ndërrohen as me shumicë të thjeshtë por as njëanshëm. Gjatë ecjes e kemi kuptuar fare mirë që nga ne po kërkohej të kthehemi në aktorë të një skenari që as nuk ua dinim fort fillimin e as mbarimin”, tha Selimi.

Ai tutje ka treguar se nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e një skenari të tillë.

”Nuk pranuam të bëhemi pjesë e një skenari të tillë e aq më tepër kur e dinim që një lloj insistimi që ‘vetëm sonte e keni rastin, dhe nesër nuk e keni rastin’. Kuvendi i Kosovës nuk u shua atë natë. Të nesërmen e tutje, asnjëherë nuk patëm as thirrje as propozim. Jo vetëm që se pamë të nesërmen, por ende nuk ka një kërkesë të tillë. Veç kësaj ka edhe thirrje që t’i vazhdohet mandati”, ka shtuar ai. /Insajderi.com