Selmanaj e vlerëson fitore të madhe për Kosovën marrëveshjen e Uashingtonit – Selimi e quan të padurueshëm

Selmanaj e vlerëson fitore të madhe për Kosovën marrëveshjen e Uashingtonit – Selimi e quan të padurueshëm

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Driton Selmanaj, e ka quajtur fitore të madhe për Kosovën, marrëveshjen ekonomike me Serbinë të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, njofton Insajderi.

Ai në seancën e sotme plenare e cila po vazhdon të mbahet në Kuvendin e Kosovës, tha se marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë është hapi më i madh i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“Marrëveshja e tillë për vlerësimin tonë është hapi më i madh që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Nuk po i jap epitete si hap historik se i ka dhënë Shtëpia e Bardhë, por është hap i madh drejt hapit historik që do të përmbyllet me njohjen, e cila do të jetë së shpejti”, tha ai.

Mirëpo, zëvendëskryeministrit i ka reaguar shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili e kritikoi Selmanajn për të ashtuquajturën fitore kur sipas tij “është ndarë Ujmani”.

Selimi iu drejtua Selmanajt duke e quajtur ‘të padurueshëm’.

“Përveç që jeni të këqij përnjëmend jeni të padurueshëm. Po çfarë zëvendëskryeministri je ti kur del këtu edhe përveç ironisë bën shaka për atë që keni bërë më 4 shtator. Qysh po e quani fitore, fitore e madhe për ty ndoshta, po qysh po e quan fitore ke shkuar atje, ke ndarë Ujmanin me Serbinë, a s’po të vjen marre, a? Qysh po e quan fitore ti kufirin shtetëror e ke zhbërë, e ke quajtur marrëveshje? Pikë e përbashkët thua se është në Palestinë atje!”, tha ai. /Insajderi.com