Selmanaj: Integrimi i plotë ndodh kur komunitetet veprojnë të organizuar brenda institucioneve legjitime

Selmanaj: Integrimi i plotë ndodh kur komunitetet veprojnë të organizuar brenda institucioneve legjitime

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se Qeveria do të angazhohet për të shënuar përparim në çështjen e ndërtimit të shtëpive në veri të vendit, të cilat i ka paraparë buxheti i Ministrisë së Punës, njofton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në debatin parlamentar për problemet e shqiptarëve atje, lidhur me pengesat që i kanë për kthim në pronat e tyre dhe për t’i rinovuar ato.

Ai pranoi se deri tani nuk ka përparim në këtë çështje.

“Ju njoftojmë se në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është paraparë ndërtimi i dhjetë shtëpive në lagjen Kroi o Vitakut si dhe ndërtimi o kulmeve të shtëpive në lagjen ‘Kodra e Minatorëve’ por duhet pajtuar që deri më tani nuk ka ndonjë progres por zotohemi që do të angazhohemi që të lëvizim në këtë drejtim”, tha Selmanaj.

Selmanaj tha se integrimi i plotë mund të ndodh vetëm kur komunitetet bashkëjetojnë lirshëm dhe veprojnë në mënyrë të organizuar brenda institucioneve legjitime.

“Qeveria e Kosovës mbetët e përkushtuar në përkrahjen dhe fuqizimin e organeve të këtyre komunave, sidomos mekanizmave të demokracisë drejtpërdrejt dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë. Integrimi i plotë mund të ndodh vetëm kur komunitetet bashkëjetojnë lirshëm, veprojnë në mënyrë të organizuar brenda institucioneve legjitime të cilat bazën e funksionimit duhet ta mbështesin në rend dhe ligj. Zbatimi i parimeve të kartës evropiane për qeverisje lokale do të jetë shtyllë kryesore e punës mbi të cilat u ndërtua vizioni i funksionimit të pushtetit lokal në Kosovë”, tha ai. /Insajderi.com