Selmanaj: LDK ka potencial të nxjerrë 10 emra për kryetar

Selmanaj: LDK ka potencial të nxjerrë 10 emra për kryetar

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se kërkesa e partisë së tij për zgjedhje të parakohshme në vend s’ka ardhur rastësisht.

Selmanaj ka deklaruar në emisionin “Pressing”, me Leonard Kerqukin, në televizionin T7, se LDK është në kohën më të mirë të saj – të paktën në 10 vjetët e fundit.

Ai ka thënë se në LDK “ka një punë ekipore, një harmoni brenda grupit parlamentar, dhe brenda vetë subjektit”.

Selmanaj po ashtu ka thënë se mungesa e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, është ndier gjatë muajve të fundit.

Ai e ka quajtur të rëndësishme mungesën e Mustafës, i cili ka qëndruar disa muaj në Gjermani, për shërim.

Mustafa është shtylla kryesore e partisë, ka deklaruar Selmanaj në “Pressing” të T7.

Deputeti i LDK-së ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje nacionale sivjet, edhe para se t’i hyjë procesit të zgjedhjeve të brendshme, vitin e ardhshëm.

Ai i ka folur edhe për shprehjen e interesimit nga anëtarë të caktuar të partisë për t’u bërë kryetar i ardhshëm i subjektit.

“Zërat individualë i shoh si vlera, jo diçka të pazakontë”, ka thënë Selmanaj.