Selmanaj reagon ndaj raportimeve të djeshme: Nuk është e vërtetë deklarata për Saranda Bogujevcin

Selmanaj reagon ndaj raportimeve të djeshme: Nuk është e vërtetë deklarata për Saranda Bogujevcin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka dhënë një sqarim lidhur me deklaratën e tij të djeshme për përdorimin e temave të ndjeshme në Kuvend, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Selmanaj ka thënë se duhet të jetë e qartë që ajo çfarë ka thënë dje në një intervistë televizive është thënë vetëm në një kontekst, që të mos përdoren temat tepër të ndjeshme për qëllime të ulëta politike.

“Deklarata ime e mbrëmshme është thënë vetëm dhe vetëm në këtë kontekst: MJAFTË më se jemi lodhur me përdorimin e temave tepër të ndjeshme për qëllime tejet të ulëta politike.

Kushdo që provon që me tema të tilla të ndërtoj kauzë politike kundër kundërshtarëve politik, apo të provoj që mbi to të ndërtoj karrierë politike është TURP, TURP që as toka nuk mund ta mbaj”, ka thënë ai.

“Kemi obligim kombëtarë dhe shtetëror që temat e tilla si kjo e të pagjeturve ti trajtojmë me dinjitetin dhe ndjeshmërinë më të lartë njerëzore dhe shtetërore”, ka shtuar tutje Selmanaj.

Zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, gjatë mbrëmjes së djeshme ka deklaruar në T7 se janë lodhur me gjëra të tilla, derisa u përmend e drejta e deputetes Saranda Bogujevci, për të folur rreth krimeve të luftës. /Insajderi.com