Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se çdo përpjekje për ta ndarë prirësen e iniciativës “Guxo”, Vjosa Osmanin nga Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është përpjekje “për ta transferuar mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik”, njofton Insajderi.
Sipas tij, “Turri dhe vrapi” për ta takuar Osmanin, “nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK-në dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve të saj”.
Kështu u deklarua ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, vetëm dy ditë pasi lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar takimin me Kurtin e Osmanin për të folur rreth krijimit të institucioneve të reja.
“Çdo përpjekje për ta nda apo diferencu Vjosen nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferu mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik”, ka shkruar ai.
“’Turri dhe vrapi’ për ta takuar Vjosen, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj”, shton Selmanaj. /Insajderi.com